Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, vendimet e kryeministrit, Avdullah Hoti, për shkarkimin e drejtorit të Policisë, u.d. të drejtorit të Doganave dhe drejtorit të ATK-së i ka quajtur shuarje të pavarësisë së këtyre tri institucioneve.
Sipas tij, Hoti me këtë vendim i është hakmarrë policisë për arrestimin e nënkryetarit të LDK-së, një javë më parë.
Madje, ai shprehu keqardhje se pse nuk ka reaguar ende asnjë ambasadë lidhur me këto vendime të Hotit.
“Jemi në konferencë për të shprehur shqetësimin për kërcënimin e Qeverisë Hoti ndaj shërbyesve civilë. PDK krenohet që nuk ka cenuar asnjë institucion të pavarur, pavarësisht që ka qenë gjatë në pushtet. Kjo qeveri e lodhët me vendimin e djeshëm ka goditur pavarësinë e Policisë, Doganës dhe ATK-së. Po krijohet në precedent i rrezikshëm për politizimin e këtyre institucioneve. Është për keqardhje që ambasadat e huaja, në veçanti ajo e Mbretërisë së Bashkuar, nuk kanë reaguar dhe vazhdojnë të heshtin”, tha ai në një konferencë për media.
Totaj vlerëson se këto vendime janë spastrime politike.
Ai e ka krahasuar Hotin me Kurtin, duke thënë se kanë logjikë të njëjtë për “spastrime politike të pozitave më të lartë shtetërore”./Gazeta Sinjali/