image PDK për mosvotimin e Trustit: Qeveria Kurti doli kundër qytetarëve

Politikë

PDK për mosvotimin e Trustit: Qeveria Kurti doli kundër qytetarëve

news image

Partia Demokratike e Kosovës për mosvotimin e Trustit ka thënë se Qeveria Kurti dhe deputetët e saj janë kundër kërkesave të qytetarëve.

“Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë. Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit”.

Kjo parti e konsideron si të domosdoshme tërheqjen e Trustit.

“Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 përqind deri 30 përqind të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës”.

Në reagim thuhet se kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tyre, Kurti në Kuvend në vend që të jepte përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, ai foli se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre.

“Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare”.

/GazetaSinjali/