image PDK paralajmëron se do ta dërgojë në gjykatë vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës

Politikë

PDK paralajmëron se do ta dërgojë në gjykatë vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se subjekti i tij do të marrë veprime ligjore ndaj vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Tahiri ka thënë se ZRrE është shndërruar në instrument të kryeministrit Albin Kurti dhe është shprehur se kriza ishte paralajmëruar shumë kohë më parë dhe kanë mundur të merren masa që dëmet të zbuten.

“Ju e dini që tash e një periudhë, PDK në vazhdimësi ka paralajmëruar qeverinë se vendi do të ballafaqohet me një krizë të lartë energjetike. Kjo nuk është se na ka trokitur tani në derë. Vendet e rajonit janë angazhuar një kohë të gjatë që të mos ketë dëme kaq të mëdha financiare nga kriza dhe kanë lidhur kontrata me furnizues elektrikë.”

Jemi në një moment kur gjendja është e papërballueshme për çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Jemi para aktit të kryer. ZRrE është shndërruar në instrument të Kurtit. Nëse përmes një rezolute do të shprehim vullnetin tonë që të kthehet ky vendim”, ka thënë ai në T7.

Tahiri është shprehur i bindur se PDK do të fitojë çështjen në Gjykata dhe vendimi do të anulohet.  

“Çka është më e rëndësishme është që do të fillojmë hapat ligjorë si PDK që ky vendim të anulohet. Hapat ligjorë nënkuptojnë se fillimisht nuk mund të shkohet në Gjykatë Kushtetuese, por në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe duhet ndjekur të gjitha instancat që të shkohet deri në Kushtetuese. Kemi ndërtuar një lëndë shumë të rëndësishme. Ato që do të ofrojmë para gjykatave do të jenë të mjaftueshme që vendimi të anulohet dhe që qytetarët të gëzohen se nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike”, përfundoi ai./GazetaSinjali/