Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marr pjesë as sot në mbledhjen e Kryesisës së Kuvendit.
Grupi Parlamentar i PDK-së, përmes një shkrese drejtuar kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, kanë bërë të ditur arsyet e bojkotit duke ia rikujtuar shkeljet ligjore me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për Institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që Ju përfaqësoni, me anë të kësaj shkrese, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (këtu e tutje: PDK-së), në vijim të veprimit tuaj jo institucional dhe të pa ligjshëm për largimin e fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës nga vendi i mëparshëm në zyrën e institucionit të Kryetarit të Kuvendit, si dhe në vijim të bojkotimit të mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit, nga përfaqësuesit e PDK-së, si veprim fillestar simbolik e politik, përmes kësaj shkrese, edhe zyrtarisht ju kërkojmë që në afatin sa më të shkurtër kohor, të ndaloni së vepruari në papajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, përkitazi më këtë çështje”, thuhet në shkresën e PDK-së drejtuar Vjosa Osmanit dhe sekretarit të Kuvendit.
Tutje në shkresë, PDK ka kërkuar që fotografia e presidentit Thaçi të kthehet në vendin ku ka qenë.
“Si më sipër, duke shpresuar se do ta keni më të qartë detyrimin tuaj, nga aktet juridike të sipërcekura, Ju inkurajojmë të ktheni fotografinë e Presidentit të Republikës së Kosovës në pjesën ballore në zyrën tuaj si kryetare, dhe të distancoheni nga çasja jo institucionale dhe të mos krijoni një precedent të tillë, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në nivel të zhvillimit të jetës institucionale dhe politike në planin afatshkurtër, por edhe do të ketë pasoja afatgjate në aspektin e zhvillimit dhe kultivimit të kulturës shtetërore, kushtetuese dhe parlamentare në demokracinë tonë të re”, thuhet në shkresën e PDK-së./Gazeta Sinjali/