Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, sot ka mbajtur konferencë për media, në të cilën foli rreth qeverisjes në nivel nacional, duke e vlerësuar situatën si të rëndë.
Stavileci tha se rritja e çmimeve po përkeqëson gjendjen e qytetarëve edhe ashtu të rënduar të familjeve kosovare.
“Do të flasim për të dhënat e fundit në raport me importin, çmimet e importit dhe deficitin tregtar të cilat në vendin tonë fatkeqësisht po shënojnë rekorde negative dhe po e përkeqësojnë edhe më shumë gjendje edhe ashtu të rënduar të familjeve kosovare“, ka thënë Stavileci.
Stavileci po ashtu u shpreh se kriza ekonomike po thellohet, ndërkaq qeveria po struket duke e vëzhguar atë nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale.
“Kriza ekonomike po thellohet, qytetarët dhe familjet kosovare po varfërohen, shporta e prodhimeve të konsumit gjithashtu po pakësohet, e qeveria po vazhdon të struket e ta vëzhgojë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale me të cilat do ta zbusnin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe të familjeve kosovare”, tha Stavileci.