Partia Demokratike e Kosovës adresoi një varg kritikash për 100 ditshin e Qeverisë Kurti II.
Në partinë më të madhe opozitare, thonë se ekzekutivi, i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, është më i dobët, sesa kanë menduar edhe vet skeptikët, pasi në këta tre muaj, sipas tyre, nuk ka pasur asnjë vendim ose politikë që e ka shtyrë përpara për qytetarët.
Të gjithë paraqitjen e shefit të qeverisë në 100 ditë e konsiderojnë si improvizuese.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, thotë se i vetmi qëllim i Qeverisë Kurti në këto 100 ditë ka qenë kapja e institucioneve. Gjoshi foli edhe për kandidaturat e PDK-së për kryetar të komunave në zgjedhje lokale dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka.
Ai rendit, sipas tij, dështimet e ekzekutivit aktual.
“Kjo qeveri është më e dobët se sa kanë menduar edhe më skeptikët. Përfshirë edhe mua si opozitar, kam pritur më shumë prej saj. Fillimisht nuk arriti për më shumë se dy muaj të miratojë programin qeverisës dhe programin që e miratoi ngjante më shumë një hartimi shkollor se sa një program i mirëfilltë qeverisës, ishte i ndryshëm prej asaj që kishte premtuar në fushatë zgjedhore.”
“Mandej, u shoqërua për këto 100 ditë me gafe dhe skandale të shumta si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Ende edhe sot jemi vendi që kemi më së paku vaksina për kokë banori. Derisa është dashur të merret me vaksina, kjo qeveri është marrë me fushatë zgjedhore në një vend tjetër.”
“Mandej kemi pa një trajtim skandaloz në aspektin ndërkombëtar nga ministrja e Punëve të Jashtme, por edhe me deklarata në aspektin e brendshëm. Kemi parë një tendencë për të kapur të gjitha institucionet, për më pak se 100 ditë të gjitha ndërmarrjet publike i ka kapur kjo qeveri, ka filluar edhe tek institucionet e pavarura”, thotë ai.
Gjoshi ka kritikuar kryeministrin Kurti edhe për qasjen e tij në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Realisht ishin më shumë improvizime sesa propozime. Qytetarët e Kosovës nuk i kanë brengë ato që i ka propozuar kryeministri para delegacionit serb në Bruksel.“
“Ai fillimisht është dashur të marrë mandatin në Kuvendin e Kosovës, është dashur të arrijë një konsensus me partitë politike edhe është dashur ta paraqes programin dhe vizionin çfarë pret nga bisedimet. Asnjëra nga këto tri nuk është përmbushur, i ka paraqitur katër pika që kanë qenë më shumë për konsumim ditor”, tha Gjoshi në një intervistë për KP.
Lidhur me zgjedhjet lokale, sekretari elektoral i PDK-së bën të ditur se në dhjetë komuna janë duke i bërë matjet për t’i nxjerrë kandidatët më të mirë për kryetarë.
“Një pjesë të kandidaturave i kemi bërë publikë, një pjesë i kemi miratuar, por nuk kemi arritur t’ia bëjmë promovimin për shkak të agjendës. Kemi takuar të gjitha degët në Kosovë, kemi biseduar për të gjithë kandidatët e mundshëm, por një pjesë e degëve, rreth 10 prej tyre është duke vazhduar sondazhet, matjet e publikut për t’i nxjerrë kandidatët më të mirë”, deklaron Gjoshi.
Krahas kësaj, për dallim prej qëndrimit të mëparshëm të PDK-së, Gjoshi thotë se nëse ish-kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka nuk e dërgon në Gjykatë Kushtetuese shkarkimin e saj përmes Avokatit të Popullit, do të iniciojnë një gjë të tillë, pasi ende nuk janë kompletuar të gjitha nënshkrimet e nevojshme.
“Nuk janë kompletuar të gjitha nënshkrimet, ka një vullnet të opozitës për t’i dhënë nënshkrimet, nëse zonja Daka nuk zgjedh ta dërgojë përmes Avokatit të Popullit, atëherë me siguri që ne do ta dërgojmë.”
“Ai vendim gjithsesi ka shkelje të cilën e kanë vlerësuar ekspertët e PDK-së, por edhe ata të pavarur. Presidentja ka ndërhyrë direkt në institucion të pavarur, një ditë para se të shpallë zgjedhjet. Ka qenë kundërkushtetuese dhe jo e nevojshme”, thotë ai.
Ndryshe, PDK këtë fundjavë do të mbajë edhe konventën zgjedhore për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re të partisë./Gazeta Sinjali/