Me të shtëna armësh e turbofolk drejt karrigeve të deputetëve për ta përfaqësuar Kosovën që synon integrimin në Bashkimin Evropian.
Ky është modeli absurd, përmes së cilit synojnë të ngjiten në organin më të lartë legjislativ disa nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Gazeta Sinjali ka siguruar një video nga një sinjalizues ku shihen duke festuar nën breshërinë e armëve, ish kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku i shoqëruar nga përkrahësit e tij, kandidatë për deputetë të PDK-së, i biri i tij, Mërgim Lushtaku, ish nënkryetari i komunës së Skënderajit, Fadil Nura dhe kryetari i degës së PDK-së në Fushë Kosovë, Rrahim Tërnava.
Ngjarja ka ndodhur në një odë të fshatit Grabovc të komunës së Fushë Kosovës në kuadër të tubimeve për fushatën zgjedhore të kësaj partie.
Në këtë ambient të mbyllur, brenda pak metrave katrorë, shihet se kanë marr pjesë dhjetëra simpatizantë të PDK-së.
E derisa këngëtarët ia thonin këngës folklorike, për një moment vëmendjen e merr shpëthimi i një rafali plumbash i cili shoqërohet më pas me fishkëllima e britma nga të pranishmit si dhe me duartrokitje nga paria e PDK-së, e prirë nga Sami Lushtaku, shkruan Gazeta Sinjali.
Pjesëmarrësit që kanë shtënë me armë në këtë aheng, kanë rrezikuar jetën e pjesëmarrësve duke sfiduar rendin dhe ligjin në Kosovë, në prani të politikanëve që synojnë të marrin përgjegjësi shtetërore në zgjedhjet e 6 tetorit.
Dukuria e të shtënave me armë, ku janë të përfshirë politikanë dhe persona publikë është mjaft e theksuar në Kosovë. Kohë më parë, Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe për një aheng me të shtëna armësh të organizuar në Bjeshkën e Bellas në Deçan, në praninë e kryeministrit Ramush Hardainaj dhe vëllait të tij, deputetit Daut Hardinaj.
Sipas të dhënave të policisë në vitin 2019 janë regjistruar rreth 80 raste të përdorimit të armëve në ahengje familjare dhe në dasma ndërsa në vitin 2018 ishin regjistruar 86 raste. Kujtojmë se në Kosovë kanë ndodhur raste të vrasjeve dhe plagosjeve nga plumbat qorr që janë shkrepur nga armëmbajtësit pa leje. /Gazeta Sinjali/