Partia Demokratike e Kosovës po kërkon të krijohet një komision hetimor parlamentar për t’i hetuar rrethanat dhe përgjegjësitë për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit Agon Musliu.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ia ka faturuar fajin dhe përgjegjësitë për këtë vdekje institucioneve qeveritare, shkruan Gazeta Sinjali.
“Duke patur parasysh rëndesën dhe seriozitetin e ngjarjes dramatike të ndodhur, si dhe përgjegjësitë e mëdha të institucioneve shtetërore që kufizuan lirinë e tij e që do të duhej të kujdeseshin për të, Grupi Parlamentar i PDK-së propozon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të posaçëm”, deklaroi Hoxha.
Ajo tha se komisioni do të merrej me veprimet e qeverisë gjatë kësaj periudhe dhe përgjegjësitë institucionale, që sipas saj shkaktuan vdekjen e Agon Musliut.
“Ky komision parlamentar do të duhej të hetojë sjelljen dhe veprimet e qeverisë gjatë kësaj periudhe të pandemisë, duke u marrë në mënyrë të veçantë me përgjegjësitë institucionale që shkaktuan vetëvrasjen e 26-vjeçarit Agon Musliu”, ka shtuar ajo.
Për krijimin e këtij komisioni, Hoxha ka kërkuar mbështetjen edhe të partive tjera. /Gazeta Sinjali/