Partia Demokratike Kosovës, do të iniciojë një sërë nismash hetimore në Kuvendin e Kosovës për procese të cilat janë akuzuar politikisht në 20 vjetët e fundit.
Kryetari Kadri Veseli në një konferencë për medie tha se në legjislativ do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike në vend, e cila do t’i qetë në dritë abuzuesit, qofshin edhe anëtarë të PDK-së.
“Kërkesa e parë që e deponojmë këtë javë në Kuvendin e Kosovës është për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovë. Dua të siguroj të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ndërmarrësit e bizneset që ky proces nuk është kundër tyre, si dhe kundër procesit të privatizimit. Përkundrazi, si parti e qendrës së djathtë e mbështesim dhe do të angazhohemi që këtij procesi t’i sigurojmë transparencë të plotë dhe llogaridhënie deri në fund”, tha ai.
Përveç kësaj, Veseli tha se do të ndërmarrin edhe veprime tjera kushtetuese e ligjore brenda Kuvendit për këto tema.
“Nga sot e nisim ballafaqimin me të vërtetën për shumë tema e vendime që janë përfolur e abuzuar politikisht përgjatë 20 vjetëve. Mbi të gjitha, ky është një shqetësim real dhe i drejtë i qytetarëve të Kosovës. Prandaj, PDK-ja do të ndërmarrë veprime konkrete kushtetuese e ligjore brenda Kuvendit të Kosovës për tema që do t’i shërbejnë interesit publik dhe nxjerrjes së të vërtetës njëherë e përgjithmonë se kush janë abuzuesit e vërtetë me emër e mbiemër të këtij vendi”, tha ai.
Ndërkaq, theksoi se shpeshherë njerëzit më të përfolur në këto procese kanë qenë zhurmaxhinj.
“Sot, nis një epokë e re për qytetarët e Kosovës; për të mirën e interesit publik; mbrojtjen e pasurisë së këtij vendi dhe të vërtetat e privatizimit të ndërmarrjeve publike e shoqërore – për të cilat është abuzuar politikisht në mënyrë të paskrupullt. Shpesh herë, njerëzit më të përfolur në këto procese, kanë qenë zhurmaxhinjtë më të mëdhenj”, tha ai.
Veseli mes tjerash tha se rrugëtimi i ri i PDK-së për rimëkëmbjen kombëtare zë vend shteti i së drejtës. /Gazeta Sinjali/