image PDK kërkon dorëheqjen e Vitisë e Sveçlës dhe hetime pas vdekjes së 26 vjeçarit nga Gjilani

Kosovë

Konferencë/ PDK kërkon dorëheqjen e Vitisë e Sveçlës dhe hetime pas vdekjes së 26 vjeçarit nga Gjilani

news image

Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Shëndetëisë, Uran Ismaili ka kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, janë shqetësuese faktet që po nxirren nga qytetarët e karantinuar në Qendrën Studentore, sipas të cilëve trajtimi i tyre nuk është i barabartë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Sot, më e pakta që do të duhej të ndodhte – është dorëheqja e Ministrave Arben Vitia dhe Xhelal Sfeçla, e cila do të duhej të vinte të paktën si një akt moral. Kjo konsiderohet domosdoshmëri dhe këtu nuk ka vend për hamendësime. Po ashtu, janë shqetësuese faktet që po nxirren nga qytetarët e karantinuar në Qendrën Studentore, sipas të cilëve – trajtimi i tyre nuk është i barabartë, pasi që disa persona dyshohet se janë liruar nga karantinimi me lidhje personale me pushtetin, dy-tri ditë pas riatdhesimit. Ndërsa, disa të tjerë vazhdojnë të mbahen aty deri në dy javë – ashtu siç ishte vendosur me masat e ndërmarra nga Qeveria”, tha Ismaili gjatë një konference për media.

Ai tha se është e domosdoshme të ndërmerren hetime të thella, jo vetëm për këtë rast të dhimbshëm të Agonit, por edhe për gjithë mënyrën se si është administruar karantina dhe si janë trajtuar qytetarët tanë gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

“Të gjithë ata, që me veprimet ose mos-veprimet e tyre, shtynë ose krijuan kushtet që ky i ri t’i japë fund jetës së tij në karantinë, duhet të japin përgjegjësi, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit.  Tendencat për shfajësim, me arsyetime që t’i iket përgjegjësisë, janë rëndim i mëtutjeshëm për familjen e Agon Musliut, ofendim i dhimbjes së tyre, dhe dështim për shtetin e Kosovës”, ka thënë Ismaili./GazetaSinjali/