image PDK kërkon dorëheqjen e Glauk Konjufcës për shkak të lidhjeve me “Syrin e Popullit”

Kosovë

Politikë/ PDK kërkon dorëheqjen e Glauk Konjufcës për shkak të lidhjeve me “Syrin e Popullit”

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Sipas tij, Konjufca duhet të jap dorëheqje për shkak të Sadri Ramabajës i cili kishte qenë aktivist i Vetëvendosjes, ndërsa ditë më parë u dënua në rastin “Syri i Popullit”.

“20 vjet pas luftës, Kosova, nuk e meriton të ketë në krye të institucionit kryesor demokratike një politikan i cili ka lidhje familjare dhe politike me aktivistet e Vetëvendosjes të Syrit të Popullit. Tanimë që aktakuza është provuar dhe aktivistë të Vetëvendosjes si Sadri Ramabaja tashmë janë dënuar, është bërë e domosdoshme që Lëvizje Vetëvendosje të reagojë duke u distancuar nga kjo organizatë terroriste dhe duke dënuar veprimtarinë e saj. Për këtë arsye, kryeparlamentari Glauk Konjufca duhet urgjentisht të jap dorëheqje që ta ruaj karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se për PDK-në është e papranueshme qasja e deritanishme e Vetëvendosjes.

“Akoma më alarmante është mos-deklarimi për këtë çështje i kryetarit të Kuvendit të Kosovës që vjen nga kjo parti, Glauk Konjufcës, i cili është një nga ideologët politik të kësaj organizata terroriste. Si mbajtësi i njërës prej pozitave më të rëndësishme të shtetit të Kosovës ai ka detyrim moral dhe institucional që të sqaroj opinionin publik për implikimin e tij personal me këtë organizatë kur dihet për më tepër se ai është edhe i lidhur ngushtë familjarisht me njërin nga protagonistët e kësaj organizate terroriste, Sadri Ramabajën, ish kandidatin për deputet dhe ish-asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Hamza.