Grupi Parlamentar i PDK-së, nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se është vërtetuar se organizata “Syri i Popullit” është zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë kanë kërkuar nga Konjufca që të sqarojë lidhjen e afërt me një prej anëtarëve të kësaj organizate, Sadri Ramabajën.
“Kryeparlamentari Konjufca, i cili ka lidhje të ngushta familjare me ish asamblistin dhe ish kandidatin për deputet të VV-së, Sadri Ramabajën, të dënuarin e ‘Syrit të Popullit’, duke heshtur, po mbron veprimtarinë e kësaj organizate terroriste, e cila krijoi lista për vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe filloi zbatimin e saj duke bërë atentatg”, thuhet në komunikatën e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Sipas Grupit Parlamentar të PDK-së, Vetëvendsoje me heshtjen e saj, po rikonfirmon atë që PDK ka thënë vazhdimisht dhe që u vërtetua edhe në gjykatë se “Syri i Popullit” është zgjatim i Vetëvendosjes në praktikë dhe diskurs.
“PDK kërkon të ruhet fryma dhe karakteri demokratik i Kuvendit të Kosovës nga çfarëdo individi që asocohet me këtë organizatë terroriste”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/