Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka kërkuar nga organet e rendit në Kosovë që urgjentisht të nisin hetimet ndaj asamblistit të VV-së, Besnik Mujeci, i cili është arrestuar në Tiranë me mbi 11 mijë doza drogë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se nuk është e rastësishme caktimi i Mujecit si aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”.
“Besnik Mujeci nuk është vetëm një asamblist i Komunës së Prishtinës. Ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar si aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”. Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë. Arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, aksionarit të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, ngre dyshimet e bazuara se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionar i kësaj ndërmarrje, nuk ka qenë aspak i rastësishëm. Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narko-trafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, është miku më i afërt i Gëzim Sveçlës, shefit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë. Për ju që nuk e dini, Gëzim Sveçla është djali i axhës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra: Ky lloj i drogës, i shpërndarë nga narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra, këta, e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë Retkoceri.
Ai ka shprehur dyshime se në këtë afër ka të implikuar edhe zyrtar tjerë të VV-së.
Asamblisti i PDK-së i ka shtruar edhe disa pyetje për këtë rast.
“Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta: Ku e mori narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci këtë sasi të drogës? Sa herë deri më sot, duke shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale në stacionin e autobusëve, ka kontrabanduar drogë për në Shqipëri? A është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci? A ka persona të tjerë nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës? Pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri më sot në Kosovë? A ka pasur mbrojtje nga zyrtarë dhe institucione të tjera në vendin tonë?”, është shprehur Retkoceri.