image PDK-ja e fajëson Glauk Konjufcën për njoftimin e rremë të 'njohjes' nga Xhamjka

Kosovë

Konferencë/ PDK-ja e fajëson Glauk Konjufcën për njoftimin e rremë të ‘njohjes’ nga Xhamjka

news image

Partia Demokratike e Kosovës e ka gjetur ‘fajtorin’ për njoftimin e rremë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka.

Sipas partisë së Kadri Veselit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ministri Glauk Konjufca është fajtor për skandalin e (mos)njohjes nga Xhamajka, shkruan Gazeta Sinjali.

Ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi, në një postim në Twitter deklaroi se ka marrë njoftim nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, se Xhamajka ka njohur Kosovën si shtet. Ky njoftim u përshëndet nga të gjithë krerët e institucioneve, përfshirë edhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Megjithatë, orë më vonë vetë ministrja e Jashtme e Xhamajkas mohoi se vendi i saj e ka njohur Kosovën shtet.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht kush e ka publikuar lajmin i pari, MPJ-ja nuk është dashur të shkruante për njohje nëse nuk e ka pasur notën verbale.

“Sa i përket politikës së jashtme dhe skandalit të Xhamajkas, për ne shumë pak e rëndësishme është kush ka folur i pari a i fundit. Me rëndësi është që ministri i Punëve të Jashtme, Konjufca të kuptojë rolin dhe detyrat që ka. E kuptojmë që është i ri në atë pozicion, por ministri i Punëve të Jashtme është instanca e vetme zyrtare që konfirmon pranimin ose jo të ndonjë note verbale për njohje nga shtetet. Ka gabuar shumë kur ka publikuar dhe ka penguar një shtet që ndoshta ishte në prag të njohjes. Ministri është përgjegjës për veprimet që bën në fushën e tij. Ai e ka pranuar që Xhamajka na ka njohur si shtet dhe si i tillë ai është përgjegjës, është instanca më e lartë dhe e vetme për këto çështje”, ka thënë Bytyçi. /Gazeta Sinjali/