Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas bastisjeve të fundit të Gjykatës Speciale.
Përmes një komunikate për medie, PDK është shprehur se këto aksione nga Specialja janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike.
“Për PDK-në, këto bastisje janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike. Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore”, është thënë në komunikatën për media të PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të ndalin këtë fushatë të përndjekjes.
“Dhomat e Specializuar të Kosovës janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, me mandat të qartë dhe të kufizuar për të hetuar krimet e pretenduara për trafikim të organeve. Fatkeqësisht, që nga momenti kur janë bërë publike aktakuzat e para kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, është bërë e qartë se fokusi i Dhomave të Specializuara ka dalë jashtë mandatit dhe çdo kontrolli institucional, duke u shndërruar në një mekanizëm që i ndjekë vetëm shqiptarët.PDK kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të ndalin këtë fushatë përndjekëse dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre”, thuhet tutje në komunikatën e tyre.