Që më shumë se një muaj, Komuna e Vitisë ka filluar punën për rregullimin e sheshit në qendër të qytetit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas kryetarit të kësaj komune, Sokol Haliti, me anë të këtij projekti synohet që të ketë sa më shumë vend për lëvizje të lirë të qytetarëve, si dhe të bëhet shmangia e mjeteve motorike nëpër qendër të qytetit.
“Me rregullimin e këtij sheshi do të krijojmë më shumë hapësirë për lëvizje në qendër të qytetit pa mjete motorike. Pra me këtë projekt synohet që qendra e qytetit të Vitisë, të shndërrohet në hapësirë për lëvizje të lirë të këmbësorëve dhe çiklistëve duke zhvendosur parkingun që gjendet afër parkut dhe duke bllokuar komunikacionin për lëvizjen e mjeteve motorike”, ka thënë ai në ditën kur filluan punimet.
Kontrata e dhënë më 29 korrik të këtij viti ka vlerë 194 mijë 223 euro 75 centë dhe pritet që të zgjasë një vit.
Përfitues i kësaj kontrate është një grup i operatorëve ekonomikë (N.N.P. ATC COM SH.P.K., Rahovica Comerce SH.P.K, Quality Asphalt SH.P.K, Shaqa Company SH.P.K.)
Por, ky projekt po kundërshtohet nga opozita në këtë komunë. Kryetari i Partisë Demokratike në Viti, Bekim Azizi, ka thënë për Gazetën Sinjali, se ky projekt është keqpërdorim i parasë publike.
Sipas tij, kubëzat që kanë qenë të vendosur në këtë shesh po zëvendësohen me kubëza të tjera, të cilat thotë se janë të një cilësie më të dobët.
“Kontrata me vlerë 194 mijë e 223 euro e 75 centë është veç një keqpërdorim i parasë publike. Vendosja e kubëzave të betonit është e nivelit më të ulët, si dhe punët nuk janë kryer sipas kontratës. Qendra e qytetit ka qenë edhe më parë me kubëza betoni. Vetë ndryshimi i tillë nga betoni në beton tregon që nuk ka qenë një nevojë e tillë”, ka thënë Azizi.
Ndërkaq, nënkryetari i kësaj komune, Hasan Aliu, në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se ata që janë kundër këtij projekti duhet të presin deri në përfundim të tij.
“Ai projekt ka ekspertë të cilët e kanë projektuar, menaxherë të kontratës dhe mbikëqyrës. Të gjithë ata që flasin duhet të presin deri sa të përfundojë ajo çështje”, ka thënë ndër të tjera ai./Gazeta Sinjali/