image PDK injoron ambasadën amerikane, këmbëngul se Whitaker është zyrtar i SHBA-së

Kosovë

Fushata/ PDK injoron ambasadën amerikane, këmbëngul se Whitaker është zyrtar i SHBA-së

news image

Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk e ka përfillur aspak reagimin e djeshëm demantues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për t’i ndalur pretendimet se kanë mbështetjen e shtetit amerikan për t’i fituar zgjedhjet në Kosovë.

Megjithëse në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Sinjali, Ambasada Amerikane në Prishtinë thekson se Qeveria e SHBA-së nuk ka asnjë preferencë dhe se nuk mbështetë asnjë parti politike për zgjedhjet e 6 tetorit, amerikani Matthew Whitaker i cili u paraqit dje në fushatën e Veselit në Gjilan, në PDK konsiderohet si zyrtar shtetëror i Amerikës.

Zyrtari dhe ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se vizita e “zyrtarit shtetëror” dëshmon se Amerika vazhdon të jetë me Kosovën.

“Unë nuk mund t’i komentoj deklaratat që nuk i kam lexu e as nuk i kam pa, por mund të them se zyrtari shtetëror që ishte dje në Kosovë është një njeri kredibil, është mik dhe një nga personat më të afërt të presidentit Trump. Amerika vazhdon të jetë me Kosovën”, ka thënë Beqa për Gazetën Sinjali.

Ndonëse nuk e ka parë reagimin e ambasadës dhe reagimet e tjera demantuese ku theksohet se Matthew Whitaker nuk e përfaqëson SHBA-në, vizitën e tij Beqa e përkthen si mbështetje të Amerikës për shefin dhe partinë e tij.

“Unë nuk i kam pa reagimet, por ka ndiku shumë pozitivisht te qytetarët e vendit që ishte dje një mik i Kosovës nga Amerika që mbështeti fuqishëm Partinë Demokratike dhe kandidaturën e Kadri Veselit për kryeministër. Unë e konsideroj që është një mbështetje e fuqishme për Kosovën fillimisht, pastaj edhe për kryeministrin e ardhshëm, zoti Veselin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vazhdimësi e mbështetjes sistematike”, ka thënë Beqa.

Por, në fakt Whitaker aktualisht nuk e përfaqëson Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai kishte shërbyer për vetëm katër muaj në Administratën e Trump-it si ushtrues detyre.

Whitaker kishte qenë ministër i Drejtësisë që nga 7 nëntori i vitit 2018 deri më 14 shkurt të vitit 2019. Që nga atëherë ai nuk ka pasur ndonjë ndikim në Administratën e Trumpit. Por pavarësisht kësaj, Beqa i PDK-së beson se ai mund të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme Kadri Veselin në rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

“Zgjedhjet edhe pa vizitën e tij, sipas të gjitha sondazheve kanë qenë të fituara nga Partia Demokratike, por ndoshta mund të ndikojë në thellimin e fitores së PDK-së dhe Kadri Veselit”, ka thënë ai.

Beqa insiston se për partinë e tij, vizita e Whitaker i ka hapur rrugë perspektivës së Kosovës, e veçanërisht asaj të PDK-së. /Gazeta Sinjali/