image PDK i reagon Bahtirit: Po nxisni një konflikt të rrezikshëm shoqëror

Kosovë

Politikë/ PDK i reagon Bahtirit: Po nxisni një konflikt të rrezikshëm shoqëror

news image

Partia Demokratike e Kosovës ka reguar pas deklaratës së kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili sot paralajmëroi gjakderdhje në vend të cilin ai e quan ‘vëllavrasje’, në rast se krijohet qeveri e re pa shkuar në zgjedhje.

Përmes një komunikate, nga PDK’ja kanë thënë se kjo gjuhë e dhunshme po nxit një konflikt të rrezikshëm shoqëror.

“Këto deklarata të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë për qëllim nxitjen e një zinxhiri të dhunës që del jashtë institucioneve shtetërore për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.  Ato filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzur me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Bojken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të  LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje”, thuhet në reagim.

Tutje, nga PDK thonë se e dënojnë rëndë gjuhën e urrejtjes dhe krijimin e klimës së frikës nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, që siç thonë ata po ndihmohen edhe nga analistë të papërgjegjshëm në Shqipëri e Kosovë.

Ndryshe, Kryetari Agim Bahtiri ka deklaruar se në rast se formohet një qeveri e re pa shkuar në zgjedhje do të ketë vëllavrasje. Bahtiri i ka bërë apel presidentit të vendit, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet sepse sipas tij, VV do të ia tregojë vendin secilit./Gazeta Sinjali/