image PDK ende pa përgjigje ndaj ftesës së Kurtit për tryezën e përbashkët për luftimin e Covid-19

Kosovë

Politikë/ PDK ende pa përgjigje ndaj ftesës së Kurtit për tryezën e përbashkët për luftimin e Covid-19

news image

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë ndonjë pëgjigje zyrtare për ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një tryezë të përbashkët për luftimin e Covid-19.

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj tha se janë duke e shqyrtuar dhe ende nuk ka një vendim për pjesëmarrje, por se personalisht mendon që opozita nuk do të marrë pjesë në atë tryezë.

“Ka ardhur ajo ftesë. Unë u informova se për momentin  janë duke u zhvilluar konsultime. Presim që të marrim një vendim dhe pasi të kryhet ai vendim dhe do të informohet publiku si do të veprohet në këtë rast. Unë personalisht nuk pres që opozita do të marr pjesë megjithatë pres vendimin e kryesisë për për vendimin”, tha Totaj.

Ndërkohë ai mohuar çdo mundësi që PDK-ja të jetë pjesë e një qeverie të re, por ka thënë se në qoftë se nuk i kanë numrat për të formuar qeverinë, si parti nuk do ta bllokojnë atë proces.

“Sa i  përket veprimit të ndërtimit të një qeverie tjetër me një mandatarë eventualisht nga LDK-ja unë besoj që ata do t’i kenë votat, mirëpo eventualisht nëse nuk i kanë këto vota PDK nuk e bllokon qeverinë. Unë besoj që ata do t’i kenë 61 votat edhe pa votën tonë “, tha.  

Totaj ka folur edhe  për iniciativën e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani për projektligjin  për parandalimin e COVID-19 , Totaj është shprehur se sikur iniciativë nuk ka qenë në rregull dhe kjo duhet të shkojë sipas procedurave kuvendit,  e jo përmes 6 deputetëve.

Ai më tutje është shprehur se Osmani që një kohë është duke bërë veprime jo racionale.

“Kryetarja e Kuvendit  është një figurë politike e cila çdo ditë e më tepër po dëshmohet si person i cili nuk po bënë veprime racionale, dhe dyshoj se me çfarë qëllimi e ka bërë një veprim të tillë dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat më tutje  por,  është dashur të shkoj në mënyrë ligjore dhe të rregullt përmes kuvendit e jo në këtë mënyrë të vjen nga 6 deputetë, prandaj do të presim dhe do të shohim si do të shkojnë veprimet më tutje”.

Ai ka folur edhe për menaxhimin e situatës me pandeminë e Coronavirusit.  Nënkryetari i PDK-së Totaj është shprehur se nga aspekti ekonomik pakoja e propozuar nga qeveria nuk i plotëson nevojat dhe është e mangët.  

“Nga aspekti i menaxhimit të pasojave ekonomike mendoj që qeveria aktuale në detyrë  nuk është duke bërë mënyrën më të mirë të mundshme për shkak se një pako që e ka propozuar është pako që nuk është pjesë e buxhetit. Përkundër faktit që është e mangët nuk ka edhe bazë ligjore, sepse nuk është pjesë e buxhetit dhe nuk ka mundësi legale për tu implementuar.  Për këtë arsye edhe ne kemi propozuar një pako tonën  dhe kemi propozuar një ligj i cili tenton ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike që ta mundëson implementimine pakos për me i zbut pasojat ekonomike të Coronavirusit në të gjitha shtresat e atyre personave që preken”,  tha ai për EO.

Totaj gjithashtu e ka cilësuar jo kushtetues, vendimin për kufizimin e lirisë së lëvizjes.

“E kemi parë që është marrë një vendim i tillë.  Një vendim i tillë nga ana e Gjykatës Kushtetuese është vlerësuar si shkelje e rëndë. Pas asaj qeveria aktuale i ka injoruar komplet vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka marrë një vendim tjetër i cili e kufizon të drejtën e lëvizjes së qytetarëve. Mirëpo një vendim të tillë konsiderojmë që nuk ka të drejtë ta merr një ministër me një vendim administrativ të kufizojë të drejtat e lëvizjes. Ky është  vendim që merret nga Kuvendi i Kosovës dhe qeveria  në detyrë po tenton të anashkaloj Kuvendin”, shtoi ai.

Kujtojmë se LDK dhe AAK kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin e përbashkët të ftuar nga kryeministrit në detyrë, Albin Kurti/Gazeta Sinjali/