Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë në Munich të Gjermanisë.
Ndryshime drastike dhe të paarsyeshme i ka cilësuar PDK-ja qëndrimet e Kurtit në këtë konferencë, derisa kanë përmendur idenë e “Mini-Marshall Planit”, që sipas PDK-së është përpjekja më e rrezikshme në raport me Serbinë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Partia Demokratike e Kosovës po i përcjell me shqetësim të madh ndryshimet drastike dhe të paarsyeshme të qëndrimeve të Albin Kurtit. Në paraqitjen e tij në Konferencën e Munihut, duke dalë me “ide të reja”, të llojit të vjetër të Ballkaniadës, ai reagoi ashtu siç kishte bërë në kohën e Rambouillet dhe në kohën e Pavarësisë: mohues ndaj progresit dhe i hutuar para ngjarjeve historike”.
“Pozicionimi i ri politik i Kurtit në Konferencën e Munihut, në emër të shtetit të Kosovës, për një Plan “Marshall” për vendet e Ballkanit Perëndimor, është përpjekje kamuflimi më e rrezikshmja e mundshme për kompromise para Serbisë, që mund të bënte ai si Kryeministër i vendit. Të kërkosh ta trajtosh Serbinë në përkrahje, njëjtë si vendin tënd, është si të pranosh ta bësh agresorin – Serbinë të barabartë me viktimën – Kosovën”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, Kurti po bën gabim edhe me kërkesën për ta përgatitur më ngadalë dialogun me Serbinë, derisa e kanë ftuar që “të qëndrojë konform detyrimeve kushtetuese, e jo t’i shkelë ato si parimet që ka proklamuar para ardhjes në pushtet”.
“Kurti, po ashtu, po bën gabimin e madh për vendin, kur mendon ta zgjasë Dialogun Kosovë-Serbi, duke e nisur atë prej fillimit – ashtu siç propozoi së fundmi spanjolli Borell, e jo që ai të përfundojë sa më shpejtë – ashtu siç kërkon SHBA. Kosova nuk ka nevojë për eksperimente dhe ide të tjera, por për marrëveshje që mbron sovranitetin e vendit tonë dhe e anëtarëson Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ftojmë Albin Kurtin që të qëndrojë konform detyrimeve kushtetuese, e jo t’i shkelë ato si parimet që ka proklamuar para ardhjes në pushtet”, thuhet më tej në reagim. /Gazeta Sinjali/