Partia Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas komunikatës, në zgjedhjet që do të mbahen PDK do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve dhe do të garojë me një program dhe propozime konkrete.
“Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore. Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës. Që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Partia Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.
Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake.
Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se “koalicioni i shpresës” që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit.
Në zgjedhjet që duhet të mbahen sa më parë, Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe do të garojë me program dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur partitë që kanë qeverisur vendin nga zgjedhjet e fundit./Gazeta Sinjali/