Partia Demokratike e Kosovës do të thërrasë seancë të jashtëzakoshme për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, shkruan Gazeta Sinjali.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij do të thërrasë për të premten seancë të jashtëzakonshme për ta votuar këtë projektligj.
Hoxhaj tha se PDK do të kërkojë përkrahjen e deputetëve për ta kaluar Ligjin në lexim të dytë në Kuvend.
“PDK do të iniciojë një seancë të jashtëzakonshme, presim që edhe partitë tjera ta votojnë një Projektligj të tillë që është mbështetur në Komision”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ndërkohë, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, sot ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Gazeta Sinjali i ka siguruar kushtet që Partia Demokratike i ka paraqitur sot në komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Pako prej 200 milionë eurove për mbështetje të bizneseve;
Mbështetje për 3 muaj nga 300 euro për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës;
Heqja e TVSh-së për lëndën e parë, për eksportimin e lëndës së parë;
Rimbursimi i mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për ata që i kanë deri në 10,000 euro kursime.
Ndryshe, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.