Partia Demokratike e Kosovës do të prezantojë kandidatin e saj për president të vendit gjatë muajit shkurt ose në mars të vitit të ardhshëm, pasi sipas tyre, deri atëherë kjo çështje nuk do të diskutohet.
Kështu ka deklaruar deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu-Shoshi, e cila shtoi se po të mos ishte pandemia, tashmë kjo parti do të kishte marrë hapin për ta çuar vendin në zgjedhje.
“Kur të vijë muaji shkurt dhe mars do të diskutohet për pozitën e presidentit. Ne gjithsesi se do ta kemi kandidatin tonë. Po të mos ishte pandemia besoj që ne si PDK do të kishim marrë hapin që të kemi zgjedhje. Mirëpo duke marrë parasysh që jemi në pandemi dhe ende është numri shumë i lartë i vdekjeve, nuk i shohim si opsion zgjedhjet tani”, tha ajo për EO.
Më tej, deputetja e PDK-së komentoi koalicionin qeverisës, ku për t’u bërë pjesë e tij ajo tha se duhet të vendosin instancat më të larta të partisë.
Sipas saj, zgjedhjet janë opsioni më i mirë, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit publik.
“Mendoj që duhet të vlerësohet situata momentale në të cilën jemi para interesit personal dhe atij partiak. Si rrjedhim do ta marrim vendimin si parti. Personalisht mendoj që zgjedhjet janë opsioni më i mirë gjithmonë duke pasur mundësinë që të ruhet shëndeti publik”, u shpreh ajo. /GazetaSinjali/