image PDK: Buxheti i Prishtinës i dizajnuar vetëm për komunën, por jo për qytetarët

Politikë

PDK: Buxheti i Prishtinës i dizajnuar vetëm për komunën, por jo për qytetarët

news image

Partia Demokratike në Prishtinë, dega në Prishtinë, ka mbajtur konferencë për media, ku është diskutuar për buxhetin e Komunës së Prishtinës, i cili u miratua ditë më parë.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha tha se që nga shpallja e pavarësisë, por edhe më herët, buxheti i Prishtinës ka qenë i dizajnuar për komunën, por jo për qytetarët.

“Jemi tejet të shqetësuar për planifikimin e dobët të buxhetit dhe mungesën e plotë të transparencës dhe diskutimit ndër vite për të. Që nga shpallja e pavarësisë, por edhe më herët kemi pasur një buxhet të dizajnuar vetëm për komunën dhe jo edhe për qytetarët e saj. Qeveritë e Prishtinës asnjëherë nuk kanë treguar aftësi menaxheriale dhe vizion për zhvillimin e qytetit”, tha ajo.

Sipas saj “buxheti i Prishtinës nuk përmbush nevojat e qytetarëve të saj. Si pasojë kemi një Prishtinë të paorganizuar, jofunksionale, nervoze, në hije, e cila e ka rënduar jetën e secilit prej nesh”.

Sa i përket realizimit të buxhetit ndër vite, Leutrim Retkoceri, asambleist i PDK-së në Prishtinë, tha që Prishtina që nga paslufta është kampione e tepricave buxhetore apo suficititi.

Sipas kësaj partie, për shkak të planifikimeve të, siç kanë thënë dobëta nga të gjitha qeveritë e deritanishme në Prishtinë, si nga LDK-ja e po ashtu nga LVV-ja, mesatarisht 20 për qind e buxhetit apo rreth 17 milionë euro i humbin Prishtinës në suficit çdo vit. /Gazeta Sinjali/