image PDK bëhet anëtare e partive liberale të Evropës

Politikë

PDK bëhet anëtare e partive liberale të Evropës

news image

Në mbledhjen e Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), në Bratisllavë të Sllovakisë, Partia Demokratike e Kosovës është pranuar sot si anëtare me të drejta të plota e kësaj partie pan-evropiane.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka njoftuar se pas një pune dinamike gjatë gjithë vitit, me shumë takime dhe lobime, sot, në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), të mbajtur në Bratisllavë të Sllovakisë, Partia Demokratike e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota e kësaj partie pan-evropiane.

Kreu i PDK-së njoftoi se ALDE është grupacioni më i madh politik i partive të liberale të Evropës. Parimet themelore liberale të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe solidaritetit – janë vlerat që promovojnë partitë politike që qëndrojnë nën ombrellën e ALDE-s, e të cilat i kemi si mision për t’i zbatuar edhe në Kosovë.

“Pranimi ynë në ALDE vjen si finalizim i një procesi tejet të rëndësishëm për mua dhe PDK-në. Ky është një hap i madh drejt përbrendësimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij. 

Më tej ai ka theksuar se një PDK e hapur dhe gjithëpërfshirëse, me vizion 50/50 për përfaqësim gjinor në të gjitha strukturat dhe nivelet e vendimmarrjes, me rini të fuqizuar dhe aktive, si dhe e integruar në rrjetin e partive liberale evropiane, është plotësisht në funksion të forcimit dhe demokratizimit të vendit dhe shoqërisë kosovare.

/GazetaSinjali/