Partia Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Qeverinë, respektivisht Ministrinë e Infrastrukturës për dëmtimin e buxhetit të Kosovës në vlerë prej 9 milionë euro.
Nga PDK kanë thënë se kjo ministri, ka nënshkruar 42 kontrata një burimore dhe të pa konkurrent.
Deputeti nga kjo parti, Abelard Tahiri në një konferencë për media tha se nënshkrimi i këtyre kontratave pa transparencë, përbënë hetim nga prokuroria.
Tahiri tha se PDK e ka hulumtuar rastin për disa muaj për t’i paraqitur gjetjet.
“Gjatë një hulumtimi të PDK-së për disa muaj, ka rezultuar që Qeveria e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, gjatë kësaj periudhe ka nënshkruar 42 kontrata një burimore dhe të pa konkurrent ku arrin vlerën mbi 9 milionë euro. Nënshkrimi i këtyre kontratave pa konkurrencë, nuk ka ndodhur asnjëherë dhe vlen të theksohet fakti se të shpenzohen këto para është një dëm i madh. Ky është një rast për Prokurorinë e Kosovës sepse të shpenzohet në punë shtesë e në kontrata një burimore, është e patolerueshme dhe një rast që kërkon hetim”, tha Tahiri.
Ndërkaq anëtarja e PDK-së, Eliza Hozha ka numëruar shkeljet ligjore që ka bërë ministria në nënshkrimin e 42 kontratave me kompanitë.
“Shkeljet ligjore që ka bërë Qeveria duhet të jap llogari ligji për prokurimin publik thotë se duhet të merren masat më herët në mënyrë që të ketë transparencë në nënshkrimin e kontratave, ministria ka shkel nenin 35 e këtij ligji. Mbi 90 për qind e kontratave, e kanë tejkaluar vlerën e kontratës dhe dëshmon për procese të montuara dhe duke i shkaktuar dëme buxhet të Kosovës. Shkelje tjetër është mospërfillja e paramasave të projekteve. Në 7 kontrata janë të plotësuara çmimet dhe është shënuar edhe emri i kompanisë që do t’i jepej puna asaj kompanie”, ka thënë Hoxha duke shtuar se shumica e kontratave janë nënshkruar nga zv. ministri Hysen Durmishi dhe jo nga vet ministri Liburn Aliu.
“Shkelje tjetër është nënshkrimi i këtyre kontratave nga zv. ministri Hysen Durmishi ku ka nënshkruar në vend të ministrit Liburn Aliut. Ai nuk është anëtar i Qeverisë dhe nuk është përgjegjës i tyre përveç rrethanave objektive”, tha Hoxha.