Partia Demokratike e Kosovës, dega në Vushtrri ka akuzuar subjektin tjetër politik, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e saj për kryetar, Xhafer Tahiri për një veprim të kundërligjshëm.
Sipas tyre, LDK ka angazhuar për vëzhgues kandidatin për kuvend komunal, Behar Duraku.
“PDK-ja në Vushtrri reagon ashpër dhe denoncon publikisht tentimin e kryetarit në ikje (Xhafer Tahiri nga subjekti politik LDK), i cili paturpësisht edhe në ditën e zgjedhjeve angazhon kundërligjshëm kandidatin për kuvendin e komunës Behar Duraku, duke e pajisur me bexh të falsifikuar në rolin e vëzhguesit në Qendrën e Votimit 2717 B në fshatin Stroc, duke bërë dy veprime të kundërligjshme: bexhi i falsifikuar dhe angazhimi i tij në shkelje flagrante të nenit 36 të Ligjit për Zgjedhje”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
“PDK-ja fton publikisht edhe organet kompetente për të parandaluar veprimet e tilla të kundërligjshme, të cilat kryetari në ikje nga paniku i humbjes, nuk po zgjedh mjet për ta cenuar mbarëvajtjen e procesit të lirë dhe demokratik të balotazhit”./GazetaSinjali/