image Pavarësisht grevës, zv/ministri i Arsimit i bindur se mësimi fillon më 1 shtator

Kosovë

Pavarësisht grevës, zv/ministri i Arsimit i bindur se mësimi fillon më 1 shtator

news image

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor.

Aktualisht ka thënë ai se është duke u bërë edhe shpërndarja e teksteve shkollore dhe çdo gjë është gati që mësimi të fillojë më datë 1 shtator.

Lidhur me grevat në arsim, Pupovci vlerëson se veprimet që ndërprejnë procesin mësimor nuk kanë arsyetim.

Ai ka thënë se sindikata e arsimit gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim.

“Në Projektligjin e ri të pagave, mësimdhënësit me të vërtetë janë trajtuar me kujdes të veçantë, që ne edhe para-draftit që ka dalë në shkurtin e këtij viti e kemi diskutuar me Sindikatën dhe kemi bërë disa modifikime në të. Pastaj, ia kemi dërguar Ministrisë së Administratës Publike dhe tani kur doli ky drafti zyrtar, po e shohim se ato vërejtje janë marrë parasysh. Nëse e shihni në raport me atë Ligjin e kaluar, të cilin e pat anuluar Gjykata Kushtetuese, ne kemi faktikisht ngritje të koeficienteve për të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe përmirësim të atyre përpjesëtimeve në mes të pagës së një mësimdhënësi dhe pagës më të madhe në Kosovë, që ka qenë një problem me rastin e Projektligjit të kaluar, dhe kjo vlen edhe për stafin tjetër të shkollave”, tha ai në RTK.

“Ndërsa, për sa i përket grevës, ne jemi deklaruar edhe më herët se veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim. Natyrisht, sindikata gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim. Këto dy çështje duhet të balancohen dhe sigurisht të gjenden forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përveç të pengimit të procesit mësimor”, deklaroi Pupovci.

/GazetaSinjali/