image Mësimdhënësit i dhanë afat Qeverisë deri sot t’i ekzekutojë pagat, në të kundërtën rikthehet greva

Arsim

Mësimdhënësit i dhanë afat Qeverisë deri sot t’i ekzekutojë pagat, në të kundërtën rikthehet greva

news image

Mësimdhënësit e shkollave të Kosovës nuk kanë marrë ende pagat e muajit shtator. Kjo pasi që Qeveria ka vendosur të mos i ekzekutojë pagat për punëtorët e arsimit të cilët kaluan muajin në grevë, raporton Gazeta Sinjali.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i ka dhënë Qeverisë ultimatum që gjatë ditës së sotme të ekzekutohen pagat, në të kundërtën mund të rikthejnë grevën e cila u pezullua përkohësisht deri në janar të 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk procedohen pagat deri më 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë, pasi që sipas tij, vendimi i Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave dhe konflikteve.

Nga Qeveria gjatë ditës së djeshme kanë përsëritur sërish se nuk do të ketë kompensim në paga për grevistët.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një postim në rrjetin social Facebook, ka akuzuar Komunat duke thënë se nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre që të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

Ajo ka thënë se i kanë dorëzuar ato të dhëna që i kanë pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI-it nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.

Nagavci ka bërë të ditur se tashmë dikasteri që ajo drejton ka marrë vendim për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës së SBASHK-ut dhe në kuadër të këtij vendimi, MASHTI i ka bërë edhe një propozim Ministrisë së Financave lidhur me çështjen e pagave për mësimdhënësit.

Sipas propozimit të saj, se në rast se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans.

Por mësimdhënësit kanë deklaruar se janë kundër kompensimit të orëve të humbura dhe Jasharaj është shprehur se ndryshimi i kalendarit të vitit shkollor nuk duhet të bëhet.

/GazetaSinjali/