Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi.
Këtë e ka bërë të ditur aktivistja Flora Ferati Sachsenmaier përmes një postimi në Facebook, duke e konsideruar si një fitore të rëndësishme diplomatike për shqiptarët.
“Në Parlamentin Europian u miratua rezoluta për ‘pasivizimin’ e shqiptarëve në Serbi dhe ajo do të figurojë në Raportin e Progresit për Serbinë për vitin 2021. Teksti i amendamentit 79, i cili u propozua dhe më pas u miratua në tërësi nga eurodeputetët vë theksin te mohimi i drejtës së votës të shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës, për herë të parë e shkruan fjalën pasivizimin në thonjëza, flet për shkelje të drejtave themelore politike të shqiptarëve, si dhe thërret për një hulumtim të pavarur”, është shprehur Ferati.
Ferati, ka falënderuar qytetarët shqiptarë Presheva, Medvegja e Bujanoci për bashkëpunimin dhe besimin e tyre duke shtuar se pa ndihmën e tyre nuk do të kishte raportime profesionale ndërkombëtare.
“Dëshmitë tuaja, veçanërisht kopjet e letërnjoftimeve dhe pasaportave valide të Republikës së Serbisë të shoqëruara me deklaratat tuaja për mohim të drejtës së votës në zgjedhjet e 3 prillit ishin vendimtare për miratimin e rezolutës. Ju faleminderit po ashtu gjithë aktivistëve tanë të vyejshëm nga tri komunat për punën madhështore që keni bërë gjatë muajve të fundit. Pa ndihmën tuaja, nuk do të kishte raportime profesionale tek qarqet ndërkombëtare. Pa asnjë kompensim financiar, me punë vullnetare, me shumë punë e pak fjalë, ju po shkruani një histori të re për vendin tuaj të lënë në harresë”, tha ajo.
Ajo gjithashtu është shprehur falënderuese edhe për eurodeputetët dhe miqtë ndërkombëtarë në Serbi, të cilët në një vit si ky, kur lufta e Ukrainës e ka konsumuar çdo institucion mbajtën komunikim të vazhdueshëm me neve.
“Mbes thellë e bindur që adresat do t’i kthejmë, dokumentet do t’ju rinovohen, dhe paqe të qëndrueshme mes shqiptarëve dhe serbeve do të ketë në vendin tim të origjinës. Ju uroj pushime te këndshme verore. Vazhdojmë fushatën tutje në shtator!”, shtoi ajo.
Sipas një studimi prej vitesh të Feratit, më shumë se 6 mijë shqiptarë etnikë janë hequr nga listat e votuesve në Serbi.