image Pasi u refuzua nga shoqatat e të pagjeturve, Kandiq pritet nga kryeministri Kurti

Politikë

Pasi u refuzua nga shoqatat e të pagjeturve, Kandiq pritet nga kryeministri Kurti

news image

Pas tryezës së diskutimit në të cilën mori pjesë aktivistja e të drejtave të njeriut dhe drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, kjo e fundit është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin diskutoi rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kandiq sot është përballur me refuzimin e përfaqësuesve të shoqatave të të pagjeturve në Kosovë për ta dëgjuar, të cilët braktisën sallën ku po mbahej tryeza “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”.

Kryeministri Kurti ritheksoi qasjen me seriozitet të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për çështjen e personave të zhdukur me dhunë. Ai potencoi se për të si kryeministër dhe për Qeverinë e Kosovës është me shumë rëndësi që duke punuar me mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, të bëhet më shumë për të mbyllur plagët e hapura”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas komunikatës, u bisedua edhe për 27 prillin, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë.

Kurti tregoi se pse nuk ishte pjesë e tryezës, duke thënë se kjo tryezë është organizuar pa koordinim paraprak me Zyrën e Kryeministrit, Zyrën e Presidentes dhe të Kryetarit të Kuvendit, gjë që ka pamundësuar praninë e tre udhëheqësve të këtyre institucioneve në tryezë.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se do të takojë përfaqësuesit e familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

/GazetaSinjali/