Sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Driton Gashi ish-drejtor i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, që ishte drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare, për rastin e dëbimit të gylenistëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Rrahman Sylejmanin, që sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.
“Nuk jam njoftuar ende zyrtarisht. Mendimin tim do ta jap përmes avokatit kur të ftohem dhe të shikoj çfarë faktesh dhe bazash e kanë mbështet atë aktakuzë ndaj meje të cilat besoj absolut nuk janë të bazuara në ligj, dhe shikojmë a i kemi anët e barabarta para gjykatës. Shihemi në gjykatë”, u shpreh Sylejmani.
Sylejmani, tutje ka thënë për Sinjalin se Prokuroria, “duhet t’i qes përpara provat”.
“Nëse kanë shkruar ashtu le t’i qesin provat që i kanë, unë i kam provat e mia që nuk ka lidhje me atë punë dhe s’ka as edhe një element të atyre veprave penale”, tha Sylejmani.