image Pasi i shpëtoi helmimit, Navalny niset drejt Rusisë

Botë

Pasi i shpëtoi helmimit, Navalny niset drejt Rusisë

news image

Lideri opozitar rus, Alexei Navalny është nisur nga Gjermania drejt Rusisë, ku mund të përballet me arrestim, transmeton Gazeta Sinjali.

“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore ‘Aeroflot’.

Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi u ul në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.

“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.

I pyetur nëse mendon se autoritetet ruse do ta arrestojnë, ai tha se është i pafajshëm.

“Pse të frikësohem? Çfarë e keqe mund të më ndodh mua në Rusi. Besoj se ndihem si çdo qytetarë i Rusisë që ka të drejtë të kthehet në shtëpi”, tha ai.

Navalny qëndroi gjashtë muaj në Gjermani ku mori trajtim mjekësor pasi u helmua. Ai ka fajësuar autoritetet ruse për helmimin.

Në gusht, ai u sëmurë teksa po udhëtonte nga qyteti Tomsk për në Moskë. Navalny thuhet se është helmuar me agjentin nervor, Noviçok.

Ai në këtë fluturim është shoqëruar nga gruaja e tij Yulia dhe nga zëdhënësja e tij.

Më 13 janar, ai njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.

Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.

Sipas dokumenteve të një gjykate ruse, Navalny mund të përballet deri me tre vjet burgim.

Mbështetësit e tij thanë se do ta presin atë në aeroportin Vnukovos të Moskës, pavarësisht se temperatura në Moskë në kohën e arritjes së Navalnyt do të jetë -20 gradë Celsius dhe pavarësisht se Rusia po përballet me shifra të larta të rasteve me koronavirus.

Deri më tani dy mijë persona në rrjetin social Facebook kanë thënë se do të dalin që ta presin Navalnyn.

Zyra e Prokurorit të Moskës ka paralajmëruar se ky tubim është joligjor dhe ka paralajmëruar mbështetësit e Navalnyt që të mos dalin në aeroport, ose në të kundërtën ata mund të arrestohen ose gjobiten.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se në aeroportin Vnukovo të Moskës ka prezencë të shtuar të forcave policore.

Navalny, i cili pret që të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, po ashtu mund të përballet edhe me tri procese gjyqësore, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht.

/Gazeta Sinjali/