image Pasi i bëri presion të mjaftueshëm, Kurti ia jep 'lejen' Gjykatës Kushtetuese që të punojë në qetësi

Kosovë

Pasi i bëri presion të mjaftueshëm, Kurti ia jep ‘lejen’ Gjykatës Kushtetuese që të punojë në qetësi

news image

Për ditë me radhë, kudo që i është dhënë mundësia, kryesministri në detyrë ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të vendos vetëm në favor të tij, e asnjëherë nuk ka pohuar se do ta respektojë aktgjykimin për çështjen e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit, nëse ai nuk do t’i pëlqente. Ndërsa sot, Kurti është shfaqur më ndryshe.

Pas vizitës në Autoritetin e Aviacionit Civil, Kurti ka thënë se Kushtetuesja duhet të lihet të punojë e qetë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Unë besoj që duhet ta lëmë të punojë në qetësi Gjykata Kushtetuese”, tha Kurti. “Le të punojnë në qetësi për vendim profesional e meritor”.

Por Kurti, më 23 prill i kishte dërguar një letër të pazakontë kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, në të cilën kontestonte punën e Gjykatës dhe e akuzonte për joprofesionalizëm dhe anshmëri.

Kurti në letrën e tij pretendonte se Kushtetuesja nuk i ka respektuar afatet ligjore dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese për rastin KO61/20 (Ankesa e deputetëve të PDK-së ndaj vendimeve të ministrit Vitia për kufizimin e masave). Përveç kësaj, në letrën e tij, Kurti kishte konstatuar se Gjykata Kushtetuese me vendime të kundërligjshme ka vendosur në presion Qeverinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, është e papranueshme.

“Për ne, refuzimi për të zbatuar rregullat e vendosura nga vet Gjykata Kushtetuese në rrethanat e rastit konkret, është shqetësim serioz në lidhje me profesionalizmin dhe paanshmërinë e Gjykatës”, thuhej në letrën e Kurtit drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Ndaj një letre të tillë të Kurtit në fillim të majit ka reaguar Gjykata Kushtetuese në vendimin që ka marrë rreth ankesës së PDK-së rreth masave të reja të kufizimit të lëvizjes të marra nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gjykata Kushtetuese në pikën 15, 16 dhe 17 të aktgjykimit të publikuar thotë se një qasje e tillë e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti është e papranueshme dhe është në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, konstatonte Kushtetuesja.

Gjithashtu i ishte bërë thirrje Kurtit që të mos ndërhyjë në pavarësinë e Gjykatës, duke i rikujtuar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje se pushtetet janë të ndara dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga të gjitha degët e pushtetit në Kosovë.

“Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës”, theksohej në pikën 17 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin KO 61/20. /Gazeta Sinjali/