Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e pezullimit të dekretit të presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit si kryeministër të Kosovës.
Ai ka thënë se subjekti i tij e respekton vendimin e Kushtetueses.
Tutje, Haradinaj në 20-vjetorin e themelimit të partisë ka thënë se partia e tij ka qenë pjesëmarrësve në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova. Ai tha se në dy mandate sa ka udhëhequr kjo parti me Qeverinë, ka arritur rezultate të cilat kanë fuqizuar shtetin.
“AAK-ja sot i ka mbushur 20 vjet. Qindra mijëra aktivistë e kanë bërë Aleancën pjesë të historisë së politikës së Kosovës. E sfiduar që prej themelimit të saj, Aleanca ka qenë pjesëmarrëse në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova. E shquar për konsistencën e saj, AAK ka qëndruar e fuqishme në mbrojtjen e interesave të vendit. Në dy mandate ka udhëhequr me qeverinë e vendit. Në mandatin e parë është krijuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë. Po ashtu në vitin 2004 ka vendosur themelet e pavarësisë së Kosovës. Gjatë qeverisjes së mandatit të fundit qeveria nën drejtimin e Aleancës ka bërë të mundur krijimin e ushtrisë, realizimin e të drejtës pronësore të Trepçës, pavarësimin energjetik, rikthimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ndaljen e skenarëve për prekjen e kufijve”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media./Gazeta Sinjali/