image Pas vdekjes së Kobe Bryant, NBA-së i kërkohet ndryshimi i logos

Basketboll

Sport/ Pas vdekjes së Kobe Bryant, NBA-së i kërkohet ndryshimi i logos

news image

Humbja tragjike e Kobe Bryant dhe vajzës së tij 13-vjeçare, Gianna, ka tronditur opinionin publik dhe sportdashësit në gjithë botën. Mesazhet ngushëlluese kanë vërshuar në rrjetet sociale dhe disa nisma janë duke u përgatitur për tu ndërmarrë në kujtim të legjendës së basketbollit.

Skuadra Dallas Mavericks ka vendosur të tërheqë numrin 24 në kujtim të Bryant ndërsa në ndeshjen e All Stars që luhet në shkurt është propozuar që njëra skuadër të këtë bluzën me numrin 8 dhe tjetra 24, të dyja këto të mbajtura nga “Black Mamba” gjatë karrierës.

Titulli për lojtarin më të mirë të finales së All Stars, MVP All Star është propozuar të quhet Kobe Bryant duke qenë se ai e ka fituar më shumë herë (4).

Megjithatë propozimi që parashikon një ndryshim radikal dhe që synon gdhendjen e Bryant në NBA është ndryshimi i logos së saj. Nëpërmjet një peticioni online kërkohet që në logon e NBA të zëvendësohet silueta e Jerry West me atë të Bryant.

I pari që e dha këtë mendim ishte ish-basketbollisti Jamal Crawford, i cili shkroi shkurt dhe qartë në rrjetet sociale këtë mesazh: “Kobe duhet të bëhet logoja e re e NBA”.

Hashtag-ut #MakeKobeTheLogo, është bërë viral në rrjetet sociale ndërkohë që deri tani janë mbledhur 170 000 firma në platformën change.org ku i kërkohet NBA-së që të ndërrojë logon.

Zyrtarët e NBA nuk e kanë pranuar asnjëherë se silueta e personit në logo është ajo e lojtari Jerry West pasi ata kanë dashur ta institucionalizojnë atë në vend që ta individualizojnë. Sipas tyre ajo është bërë një simbol klasik i kudondodhur dhe pikë qendrore e identitetit të tyre dhe programit të licencimit që ata nuk duan ta identifikojnë atë me një lojtar.

Megjithatë Alan Siegel, krijuesi i kompanisë Siegel+Gale që ka dizenjuar logon aktuale ka pranuar se është frymëzuar nga një foto e Jerry West në revistën Sport.