Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se ka udhëzuar menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021, shkruan Gazeta Sinjali.
Sot, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër nga ky subjekt politik, Albin Kurti, ka thënë se kur ishte në krye të qeverisë kishin paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
AKP-ja thotë se Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit njofton opinionin se në takimin e tij joformal të mbajtur javën e kaluar, me datë 19 shkurt 2021, ka udhëzuar Menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdoj me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021.
“AKP, gjithashtu dëshiron të bëjë të qartë se ka qenë bashkëpunuese dhe vazhdimisht ka ofruar mbështetjen në vazhdën e përpjekjeve të secilës qeveri për të ndryshuar strategjinë e privatizimit të ndërmarrjeve dhe pronave shoqërore”, thuhet në njoftimin për media.
Kurti, në anën tjetër, sot tha se është informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura.
“Duke pasur parasysh planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitin 2021 dhe obligimet ligjore të AKP-së që të zbatoj ligjin në fuqi, Bordi ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të shitjeve në mënyre që të hyrat buxhetore të arrihen sipas Ligjit për Buxhetin. Sidoqoftë, e ritheksojmë se qysh javën e kaluar, në respektim të procesit të formimit të institucioneve të reja, dhe me qëllim të koordinimit sa më të ngushtë me Kuvendin dhe Qeverinë, Bordi ka marr vendim për pezullimin e valëve të shitjes. AKP, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore dhe lokale konform mandatit të saj ligjor. Kjo praktikë do të vazhdoj edhe në të ardhmen duke respektuar në plotni kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet e ndërsjella me institucionet relevante”, thuhet më tej në njoftim e AKP-së.
AKP shton se për hir të informimit të saktë të opinionit publik dhe të gjitha palëve të interesuara, përveç shitjes së aseteve në pronësi shoqërore, AKP në mandatin dhe përgjegjësinë e saj ka edhe menaxhimin me kërkesat dhe procedurat e pagesave për 20%-shin për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore (rreth 50000 përfitues deri më tani), shqyrtimin dhe përballjen me kërkesat kreditore (rreth 2.1 miliardë euro nga kreditorë të brendshëm dhe të jashtëm), ballafaqimin me mbi 25.000 konteste gjyqësore që ndërlidhen me pronat shoqërore, mbrojtjen në dy arbitrazhe të komplikuara ndërkombëtare në vlerë prej rreth 30 milionë euro dhe administrimin e përditshëm të 591 ndërmarrjeve shoqërore me rreth 2300 aseteve në mbarë territorin e Kosovës (të cilat vazhdimisht rrezikohen nga tjetërsimi i paligjshëm).
AKP-ja thotë se realizimin e këtij mandati ligjor e vështirëson në masë të madhe presioni publik, i cili në shumicën e rasteve është i bazuar në informata jo të plota dhe jo zyrtare.
“Koncepti i transformimit të pronës shoqërore, Ligji mbi Agjencinë Kosovarë për Privatizim, dhe procesi i privatizimit në formën e tanishme nuk janë produkte e as vendime të AKP-së, por të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, specifikisht të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. AKP vepron në bazë të kësaj kornizë ligjore dhe rregullisht i raporton institucioneve qendrore për veprimet e saj. Andaj, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë e institucional që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga kualifikimet publike të bazuara në informata jo të plota, të cilat për me tepër janë paragjykuese dhe të dëmshme për imazhin e një institucioni të pavarur kushtetues dhe ligjor, si dhe integritetin personal dhe profesional të zyrtarëve brenda këtij institucioni”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/