image Kurti thirrje AKP-së: Mos provoni të hapni valë të reja të privatizimit as të sfidoni mekanizmat institucional - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

68.351

Të shëruar

59.438

Të vdekur

1.592

Kurti thirrje AKP-së: Mos provoni të hapni valë të reja të privatizimit as të sfidoni mekanizmat institucional

news image

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër nga ky subjekt politik, Albin Kurti, ka thënë se kur ishte në krye të qeverisë kishin paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu ka thënë vetë ai përmes një postimi në Facebook, gjersa ka shtuar se bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi.

“Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Kurti.

Shkrimi i tij i plotë:

Në programin tonë qeverisës kishim paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizmit (AKP). Synonim rishikimin e gjithë procesit të privatizmit e që nënkuptonte një trajtim ndryshe si të pronës publike ashtu edhe të asaj shtetërore. Qeveria jonë në dy mbledhje të saj, me 10 mars dhe me 23 mars 2020, kishte nxjerrë dy vendime përmes të cilave kërkonte nga AKP-ja të pezullojë fillimisht të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme nga lista e aseteve për qiradhënie, dhe, pastaj, të pezullojë në afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme që i ka nën administrim. Këto vendime ishin shfuqizuar nga qeveria e cila u instalua pas nesh, por megjithatë kishte vazhduar kërkesa ndaj AKP-së që të mos shpallë asnjë valë të re të privatizmit. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës kishte krijuar një komision hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet eventuale në procesin e privatizmit.

Tani jam informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura. Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin