image Pas pak, edhe një tentim për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

Politikë

Pas pak, edhe një tentim për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

news image

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë pas pak minutash seancën për zgjedhjen e presidentit të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë të shtunën se seanca do t’i vazhdojë punimet më 4 prill në orën 17:00.

Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedh presidentin e vendit.

Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.

Sot gjatë ditës, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, tha se është e bindur që është siguruar edhe vota e 80.

Më herët gjatë ditës, u raportua se deputeti Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija), i cili dje nuk votoi, sot do të votojë. Megjithatë, kjo pritet të shihet kur të fillojë seanca.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar rreth seancës në kohë reale.

/Gazeta Sinjali/