image Pas LDK-së, edhe presidenca dërgon në Kushtetuese komentet për dekretin e Thaçit

Kosovë

Politikë/ Pas LDK-së, edhe presidenca dërgon në Kushtetuese komentet për dekretin e Thaçit

news image

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet për dekretin që sipas propozimit të LDK-së, Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit si kandidat për kryeministër.

Kështu kanë njoftuar përmes një komunikate për media nga zyra e presidencës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, sot ka dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me meritat e kërkesës së pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, dt. 30.04.2020, me të cilin Dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e re”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Republikës së Kosovës e ka nxjerrë këtë Dekret pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar Qeveri të re.

“Si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garantues i funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, Presidenti përmes nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2020 ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe sipas standardeve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14”, përfundon njoftimi.

Gjatë ditës së sotme, edhe deputetët e LDK-së kanë dorëzuar në Kushtetuese komentet për dekretin e presidentit.

Kushtetuesja para një jave ka pezulluar dekretin e presidentit Thaçi deri më 29 maj./GazetaSinjali/