image Pas konsultimit me Ministrinë e Arsimit, Kastrati pezullon reformën në dy fshatra të Kamenicës

Kosovë

Arsim/ Pas konsultimit me Ministrinë e Arsimit, Kastrati pezullon reformën në dy fshatra të Kamenicës

news image

Ministrja e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se një pjesë e reformave në arsim në komunën e Kamenicës janë ngadalësuar me qëllim që nxënësit të cilët nuk kanë vijuar mësimin që nga 3 janari të rikthehen në bankat shkollore.

Bajrami gjatë një konference për media ka thënë se është angazhuar për situatën në arsim në Kamenicë dhe sipas saj në koordinim me kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastratin, kanë marrë vendim që të pezullohet një pjesë e reformave, shkruan Gazeta Sinjali.

“Siç e dini që nga dita e parë si ministre e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë,  jemi marrë me gjendjen e krijuar në Kamenicë me reformën e marrë nga kryetari Kastrati. Që në ditët e para e kemi vizituar komunën dhe e kemi parë situatën e krijuar. Situata e krijuar nuk është aspak e këndshme sepse ka nxënës se që nga 13 janari nuk kanë ndjekur mësimin. Ne kemi konsultuar ligjin. Reforma e filluar të ngadalësohet pak dhe nxënësit që nuk vijojnë mësimin të kthehen në mësim”, ka thënë Hykmete Bajrami.

Bajrami ka thënë se do të bëhet studimi i gjendjes pastaj reforma në arsim të zhvillohet në tërë Kosovën.

“Ne kemi ardh në përfundim që një pjesë e reformës duhet ngadalësohet me pajtim që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me donator, të bëjë studimin e gjendjes në nivel vendi, pas analizës reformat e tilla janë të nevojshme të fillojnë në të gjithë vendin”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka ri-konfirmuar se reforma do të pezullohet në fshatin Koretin dhe Topanicë, ndërsa në fshatrat tjera do të vazhdojë.

“Pra edhe një herë ne do ta pezullojmë vendimin për reformën në fshatin  Koretin edhe Topanicë, ata do të vazhdojnë siç ka qenë në të kaluarën, ndërsa fazën e parë të kësaj reforme duhet ta respektojnë edhe Ministria me resurset e saj dhe kapacitetet e saj. Është zotuar që të krijoj kushtet sa më të mira për nxënësit duke e përfshirë edhe shkollën Fan S. Noli”, ka thënë Qëndron Kastrati.

Gazeta Sinjali ka raportuar edhe më parë për reformën në arsim në Komunën e Kamenicës. Po ashtu edhe për shkollën “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë. Për 72 vjet rresht kjo shkollë ishte funksionale, ndërsa komuna tashmë ka vendosur që ta bashkojë me shkollën “Fan S. Noli” edhe pse sipas mësimdhënësve të kësaj shkolle vijojnë mësim 104 nxënës. /Gazeta Sinjali/