Qendra e Odesës, një qytet kyç ukrainas pranë Detit të Zi, në perëndim të vendit, është kthyer në një zonë të fortifikuar. Pozicionet mbrohen nga ushtarë ukrainas, të cilët vëzhgojnë zbarkimet eventuale ajrore ose detare të forcave ushtarake ruse.
Ushtria e Ukrainës ka thënë se po zhvillon “beteja të ashpra” me forcat ruse në periferi të qytetit jugor të Mikolajivit, i cili kontrollon rrugën drejt qytetit të rëndësishëm të Odesës, në Detin e Zi, në perëndim.
Lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë më 24 shkurt, ka vazhduar pandërprerë edhe gjatë fundjavës, teksa autoritetet ukrainase kanë thënë se forcat ruse kanë kryer qindra sulme me raketa dhe me artileri.
Banorët e Odesës nuk mund të mos e përsërisnin shakanë tashmë të famshme rreth asaj që rojet kufitare ukrainase në ishullin e vogël Zmiinyi u thanë një luftanijeje ruse kur u kërcënuan me bombardime, shkruan REL.