image Pas dorëheqjeve të prokurorëve serbë, U. D i Kryeprokurorit të Shtetit zbarkon në Prokurorinë e Mitrovicës

Drejtësi

Pas dorëheqjeve të prokurorëve serbë, U. D i Kryeprokurorit të Shtetit zbarkon në Prokurorinë e Mitrovicës

news image

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Armend Zenelaj, U.D. drejtori i sekretariatit të KPK-së Valdrin Krasniqi dhe zyrtarë tjerë ka vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas situatës së krijuar me ofrimin e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb.

U.D. Kryeprokurori Kelmendi, u njoftua për së afërmi nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, për veprimet e ndërmarra nga ai, gjendjen e krijuar, sfidat dhe nevojat e kësaj prokurorie në përballimin dhe tejkalimin e vështirësive që janë paraqitur pas situatës së fundit, ku së bashku diskutuan gjetjen e modaliteteve për vazhdimin dhe menaxhimin sa më të mirë të punës, veçmas të trajtimit të lëndëve me natyrë urgjente, thuhet në njofitmin e Prokurorisë së Shtetit.

Më tej në njoftim thuhet se me këtë rast, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, shqyrtoi të gjitha mundësitë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për këtë prokurori në bazë të kompetencave të tij, duke përfshirë edhe transferimin e jashtëzakonshëm të prokurorëve nga prokuroritë e tjera për mbarëvajtjen sa më efikase të punës në funksion të sundimit të ligjit.

Ndërsa, përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, u zotuan se do të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e kushteve të nevojshme me qëllim që Prokuroria Themelore në Mitrovicë të funksionoj sa më mirë dhe të mos krijohet asnjë zbrazëti në procesin e punës.

/GazetaSinjali/