image Pas certifikimit të rezultateve reagon Haradinaj - Stublla: Skema kriminale funksionoi

Pas certifikimit të rezultateve reagon Haradinaj – Stublla: Skema kriminale funksionoi

news image

Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në të cilat ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe kandidatja e AAK-së për deputete, Meliza Haradinaj – Stublla, ka mbetur jashtë Kuvendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas certifikimit, ka reaguar Haradinaj-Stublla e cila është shprehur se akuzat ndaj saj për manipulim me vota kanë qenë për njollosjen e saj dhe familjes.

“SKEMA KRIMINALE FUNKSIONOI…, për të më njollosur rrënjësisht mua dhe familjen time, dhe për të tjetërsuar rezultatin që u certifikua sot sipas planit duke varrosur të vërtetën e vullnetit qytetar”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.

Sipas saj, disa incizime të publikuara nga mediat për manipulimin e votave nga bashkëshorti i saj, ishin të inskenuara dhe sponzorizuara.

“Incizimi i inskenuar e i sponzorizuar, që u publikua ditë më parë, që u interpretua nga pseudo-portalet sipas dëshirës së porositësve, se kinse bashkëshorti im implikohet në bisedat e ulëta që zhvilloheshin në atë video 30 minutëshe, përmban tregues të mjaftueshëm e të bindshëm për inskenimin e dobët teatral që bëri banda kriminale sponzorizuese e kësaj fushate denigruese KUNDËR MEJE”, shkroi ndër të tjera Haradinaj-Stublla.

Por, Haradinaj-Stublla u shpreh se tani që dy autorët e kësaj videoje kanë dalë para drejtësisë, beson se përfundimisht do të zbardhen me zbulimin e identitetit të protagonistit tjetër të këtij incizimi.

“Tani që u raportua se dy veglat e krimit të videos kanë dalë para drejtësisë, skenari dhe porositësit e tij besoj fuqishëm se përfundimisht do të zbardhen me zbulimin e identitetit të protagonistit të tretë X1 (dhe mendoj kryesor) të video-inskenimit. I bëj thirrje publike Kryeprokurorit të Prishtinës Kujtim Munishi, i cili apostrofohet nga personi i tretë në këtë video publike në minutin 25:10, që të deklarohet se nëse ekziston lidhja e tij me këtë person, nëse e ka takuar siç po pretendohet në video, dhe kush është ai. Personi i tretë zbardhë gjithçka… madje edhe porositësin ‘politik’ që ka udhëzuar inskenimin e kësaj videoje, dhe ka kurdisur votat në QNR”, shtoi ndër të tjera ajo.

Kujtojmë se para disa ditësh është publikuar një videoincizim ku thuhet se bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme u ka dhënë para disa komisionerëve për ndryshim të rezultateve në favor të saj./Gazeta Sinjali/