Pasi tanimë ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, dha dorëheqja nga pozita drejtuese e partisë dhe nuk u zgjodh në asnjë pozitë drejtuese, të njëjtën e ka bërë edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë për Gazetën Sinjali se ashtu siç kishte paralajmëruar, Sejdiu nuk ka kandiduar dhe nuk është zgjedhur në asnjë pozitë drejtuese brenda partisë.
“Ai është vetëm anëtar, qysh edhe ka paralajmëru në deklaratën e tij”, ka pohuar Kuçi.
Derisa nënkryetarët e PSD-së nuk janë zgjedhur ende, në zgjedhjet e brendshmme, në krye të partisë është zgjedhur Dardan Molliqaj.
Një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të cilat PSD-ja nuk arriti ta fitonte asnjë mandat deputeti, Sejdiu dha dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese brenda partisë.
Të njëjtin veprim me të Sejdiut, e bëri sot kryetari i partisë, Shpend Ahmeti, duke dhënë dorëheqje nga pozita më e lartë në parti.
Në zgjedhjet që po vazhdojnë të mbahen, kryetar i PSD-së është zgjedhur Dardan Molliqaj.
Ahmeti dhe Sejdiu nuk kanë pranuar të vihen në asnjë pozitë drejtuese në PSD, duke mbetur vetëm anëtarë të thjeshtë të partisë. /Gazeta Sinjali/