Pas 14 ditësh qëndrimi në izolim në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, 54 persona janë liruar pasi rezultuan negativ në testet për koronavirus nga IKShP-ja.
Ky grup i personave do të vazhdojë vetizolimin në shtëpitë e tyre. Ky është grupi i katërt i të testuarve në katër ditët e fundit dhe prej 190 të gjithë rezultuan negativ.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, deklaroi se 230 persona gjithsej janë liruar pas testimit, derisa 400 persona janë duke qëndruar në karantinë.
“Fatmirësisht sot u liruan edhe 54 persona që kanë qëndruar për 14 ditë në karantinë. Të gjithë kanë rezultuar negativ pas testimit është një lajm i mirë. Numri i përgjithshëm që po qëndrojnë është 400, ndërsa 230 persona janë liruar”, tha Sfishta.
Hisen Qorraj tregoi se kushtet kanë qenë të mira, derisa tha se do të vazhdojnë vetizolimin edhe në shtëpi për 14 ditë të tjera.
“Kushtet kanë qenë shumë të mira. Si në hotel me pesë yje. Unë kam ardhur nga Stambolli jam nga Deçani. Edhe stafi mjekësore është përkujdese. Tani do të qëndrojmë edhe në shtëpi edhe 14 ditë”, u shpreh ai.
Kurse, Adem Artinaj thotë se stafi mjekësor nuk është përkujdesur për ata, derisa tha se ka 6 ditë që nuk janë kontrolluar.
“Kushtet normale, stafi mjekësore qe 6 ditë nuk na kanë kontrolluar. Kam qenë i sëmurë. Kam ardhur nga Gjermania. Do të vazhdoj vetizolimin në shtëpi”, tha ai.
Ndërsa Faton Hoti, tha se pavarësisht se kanë rezultuar negativ do të vazhdojnë të vetizolohen në shtëpi për arsye të sigurisë.
“Kushtet kanë qenë të mira, mirë kemi kalua. Jam që 14 ditë këtu kam ardhur nga Mali i Zi bashkë me pesë shokët, jetojë në Pejë. Kemi dalë negativ dhe na liruan, do të vazhdojmë vetizolimin në shtëpi për siguri”, tha ai./GazetaSinjali/