Partitë politike vazhdojnë të injorojnë thirrjet për respektim të masave antiCOVID, duke mbledhur dhjetëra simpatizantë në sallat ku po i mbajnë tubimet elektorale, shumica prej tyre pa mbajtur maska, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndonëse numri i rasteve me COVID-19 po rritet, e mantelbardhët po paralajmërojnë për shtim të pacientëve të infektuar me koronavirus në klinika, kjo nuk po shihet pengesë për politikanët që të mbledhin simpatizantët e tyre.
Pamje të sallave të mbushura kanë publikuar sonte PDK-ja, AAK-ja e Nisma Socialdemokrate.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, duke e ilustruar me disa fotografi, ka shkruar se “qindra të rinj nga Malisheva i janë bashkuar projektit të rimëkëmbjes”.
E kandidati për president, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në rajonin e Gjakovës. Nga atje, partia e tij, AAK-ja ka dërguar përmes komunikatës fotografi nga ku shihen dhjetëra simpatizantë duke qëndruar brenda një salle, pa respektuar masat antiCOVID.
E Nisma Socialdemokrate ka postuar fotografi nga Ferizaj, brenda një lokali të mbushur me simpatizantë, të cilët gjithashtu kanë shkelur masat për mbrojtje nga COVID-19.
Xhelal Sveçla ka publikuar po ashtu disa fotografi nga lagjja “Dardania” në kryeqytet.
Pamje të tilla janë publikuar edhe nga Lidhja Demokratike këto ditë e cila edhe është gjobitur. Madje, edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, duke bërë thirrje për respektim masash vet i ka shkelur ato.
Këto tubime të partive politike janë duke u inspektuar nga institucioni përgjegjës për këtë punë. Inspektorati i Prishtinës këto ditë edhe i ka gjobitur partitë politike. /Gazeta Sinjali/