image Partitë politike shkelin afatet ligjore të fushatës elektorale

Kosovë

Fushatë/ Partitë politike shkelin afatet ligjore të fushatës elektorale

news image

Ndonëse janë edhe 21 ditë deri në ditën kur zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, partitë politike me kandidatët e tyre për kryeministër,  kanë filluar fushatën menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve, duke organizuar tubime e takime të ndryshme me elektoratin.

Njohës të çështjeve politike thonë se asnjëherë nuk po respektohen afatet ligjore për fushatë, gjë që sipas tyre, tregon se partive politike nuk u mjaftojnë dhjetë ditë fushatë për të shpalosur programet para qytetarëve.

Politologu, Ramush Tahiri, thotë se parafushata nuk është ligjore, derisa shton se partitë politike këtë nuk e quajnë fushatë por ‘aktivitet politik’.

“Kjo nuk është ligjore një herë, sepse me ligj fushata është dhjetë ditë, për zgjedhjet e parakohshme, këta nuk e konsiderojnë fushatë, e konsiderojnë aktivitet partiak. Nuk janë të sigurt për zgjedhjet, nuk janë të sigurt për numrin e deputetëve që i marrin edhe koha prej dhjetë ditëve nuk i duket e mjaftueshme. Edhe nuk kanë bërë program, dhe duan të zënë vend më herët, nuk është e ligjshme, KQZ nuk reagon sepse nuk e kanë si fushatë të tillë partiake”, shprehet Tahiri.

Në anën tjetër, Blerta Aliu nga KDI, thotë se këto aktivitete nuk dallojnë shumë me ato të fushatës zgjedhore, megjithatë sipas saj me ligjet në Kosovë nuk ndalohen aktivitetet e tilla.

 “Në mungesë të një reforme zgjedhore që do ta bënte një përcaktim për periudhën e para fushatës zgjedhore, atëherë partitë politike, janë të lira të organizohen ashtu siç duan edhe para kësaj periudhe. Gjatë periudhës së fushatës vijnë në shprehje pastaj disa rregulla, e kemi kodin e mirësjelljes për partitë politike, për kandidatët që do të thotë aktivizohen në momentin kur fillojnë ditët e fushatës zgjedhore, kemi një varg rregullash që duhen të respektohen. Partitë politike duhet të kenë kujdes që të mos nxisin urrejtje në tubimet e tyre, të mos keqpërdoren resurset publike në favor të fushatës, të mos pengojnë produktet e partive të tjera”, deklaron Aliu.

Ngjashëm mendon edhe  drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, i cili monitoron partitë politike. Ai ka thënë se asnjë subjekt politik nuk përjashtohet nga kjo praktikë, ndërsa shton se të njëjtat nuk po respektojnë afatet ligjore për fushatë.

“Dihet kur fillon fushata ligjërisht, por kjo nuk respektohet asnjëherë brenda partive politike. Gjithmonë e shohim që partitë politike e fillojnë fushatën akoma pa u nisur zyrtarisht fushata dhe kjo bëhet pothuajse në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur në Kosovë të paktën prej shpalljes së Pavarësisë e tutje nuk kemi respektim të afateve ligjore për fushatë”, thotë Demhasaj.

Fushata Zgjedhore zyrtarisht fillon me 25 shtator, dhe përfundon me 4 tetor,  ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me 6 tetor.