Partia Euroatlantike e Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës janë bërë bashkë për zgjedhjet e 6 tetorit. Ata kanë mbajtur sot një konferencë për media dhe kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka tha se kanë pasur oferta nga partitë e mëdha, por që sipas tij ato nuk ishin të denja për koalicion.
“Nuk kemi hyrë me garu me asnjë parti politike në Kosovë, kemi hyrë me kriju një autostradë të ndryshimit për qytetarët e Kosovës në këtë vend, duke konsideruar që partitë e tjera, për Partinë Euroatlantike të Kosovës, nuk kanë qenë të denja që ne me shku në koalicion me to, dhe besoj që ka qenë një befasi për gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm në Republikën tonë duke thënë që po ruajnë momentet e fundit se edhe Partia Euroatlnatike do të shkojë në një koalicion me partitë e mëdha. Nuk është kurrfarë sekreti më thënë që kemi pas oferta nga të gjitha partitë e mëdha, por ajo që ka lënë një përshtypje pozitive te republikanët e Kosovës sa i përket neve, dhe ndoshta kjo ka qenë nxitja pse na janë bashkuar, ka qenë qëndrimi ynë që të krijojmë, siç thotë profesor doktor Xhafer Ismajli, që është kandidat për deputet, që ne e kemi krijuar murin kinez në mes të keqes dhe të mirës në Kosovë”, tha ai.
Zeka tha se nuk do të kishte kuptim të shkonin në koalicion me partitë të cilat sipas tij e kanë degraduar dhe varfëruar Kosovën.
E kryetari i Partisë Republikane e Kosovës, Faton Kurti, tha se janë bashkuar meqë Kosova me të vërtetë ka nevojë për një alternativë.
“Ne nuk do ta luftojmë korrupsionin, ne do ta eliminojmë korrupsionin, është një ndryshim i madh i fjalës eliminim apo luftë kundër korrupsionit. Sepse, me të vërtetë disa subjekte poli6tike e kanë luftuar korrupsionin por korrupsioni e fitoi luftën. Kurse ne do ta eliminojmë korrupsionin, pastaj do t’i kyqemi zhvillimit ekonomik. Tingëllojnë fjalë të mëdha por do t’i realizojmë”, tha ai.
Në këtë konferencë u tha se sot do t’i dorëzojnë listat në KQZ dhe se njerëzit e përfshirë në ato lista janë befasi për opinionin, meqë siç u tha, janë njerëz të ri e të padjegur nëpër parti politike.
Afati i fundit për dorëzimin e listave të partive politike, në KQZ, është sonte në mesnatë.