image Parlamenti Evropian miraton rezolutën: Rusia, dezinformatorja kryesore

Botë

BE/ Parlamenti Evropian miraton rezolutën: Rusia, dezinformatorja kryesore

news image

Parlamenti i BE-së adoptoi një rezolutë, që e quan Rusinë burim kryesor të dezinformimit në Europë. Prandaj, kërkohet një strategji më e ashpër për të ndaluar përpjekjet për ndërhyrje.

Në vazhdën e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016, përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet që zhvillohen në vende të tjera janë kthyer në një çështje të rëndësishme.

Si rrjedhim BE iu desh një vit e gjysmë përgatitje për të mbrojtur zgjedhjet e veta, ato të zhvilluara në maj të këtij viti për Parlamentin Europian.

Tani, legjislatura e re vendosi të merret me këto përpjekje për ndërhyrje.

Gjatë sesionit plenar të mbajtur në Bruksel më 10 tetor, ligjbërësit e BE përgatitën një rezolutë për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dizinformimin. 469 deputetë europianë votuan për rezolutën, 143 ishin kundër saj dhe 47 abstenuan.

Zgjedhjet europiane nuk kanë qenë zonë e paprekur nga falsifitetet

Parlamenti i BE thekson në rezolutë se vazhdimisht dalin në dritë dëshmi që tregojnë për ndërhyrje në të gjitha zgjedhjet kombëtare dhe europiane, “shpesh me tregues që flasin për ndikim të huaj”.

Komisioneri i BE për çështjet e Sigurisë, Julian King tha gjatë debatit që u zhvillua në kuadër të përgatitjes së rezolutës se gjatë zgjedhjeve për Parlamentin e BE “nuk ka pasur sulme dezinformimi të koordinuara në shkallë të gjerë”. “Por, për fat të keq kjo nuk do të thotë se këto zgjedhje janë zhvilluar pa dezinformime”.

King ofroi një shembull nga Gjermania, ku promovimi online i një partie të përfaqësuar është bërë duke pasqyruar 86 për qind të gjithë aktiviteteve të partisë në Facebook, me katër herë më shumë komente, dhe gjashtë herë më shumë shpërndarje, se të gjithë partitë politike të kombinuara bashkë.

Problemi këtu është thotë Komisioneri, se pëlqimet dhe shpërndarjet janë bërë nga një grumbull adresash prej 80 mijë kontosh, pa emra të vërtetë por me iniciale.

“Propaganda dhe dezinformimi i automatizuar në shkallë të gjerë është një fakt i jetës sonë politike moderne”.

King nuk e përmendi emrin e partisë, por me sa duket ai flet për Alternativën për Gjermani, AfD ekstremiste e djathtë, sepse edhe më parë është raportuar se AfD është shumë përpara në përdorimin e mediave sociale. Kjo parti shpesh është akuzuar për lidhjet që ka me Rusinë.

BE-së i duhet një strategji më e fortë

Parlamentarët vënë theksin në rezolutë tek “rrezikshmëria e lartë e natyrës që ka propaganda ruse”.

Prandaj, ata i kërkuan Komisionit të BE-së dhe Këshillit të BE që të përgatisë një strategji më efektive për t’iu përgjigjur dezinformimit rus “në mënyrë më të shpejtë dhe më të ashpër”.

Parlamenti i BE-së është i shqetësuar për ndërhyrjet jo vetëm në BE, por edhe në vendet fqinjë.

Në rezolutë dënohen “aksionet agresive në rritje” nga vende të treta, aksione që kërkojnë të dëmtojnë demokracinë dhe sovranitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve partnere lindore.

Vendet partnere lindore janë gjashtë vendet, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Për të ndihmuar këto vende, BE duhet të mbështesë pavarësinë dhe mediat e ndryshme në to, thotë Parlamenti i BE.

Rezoluta përmend Rusinë si “burimin kryesor prej nga vijnë dezinformimet në Europë”.

Po ashtu flitet edhe për dy vende të tjera, por emrat e tyre nuk përmenden. Disa deputetë propozuan që në rezolutë të futen edhe këto dy emra, por gjatë votimit ky propozim nuk morri mbështetjen e duhur.

Diskutime për burimin kryesor të dezinformimit

Gjatë diskutimeve që u mbajtën në mbledhjen e mëparshme plenare në Strasburg, më 17 shtator, u fol shumë për çështjen se prej nga vijnë dezinformimet.

Ndërkohë që përfaqësuesit e Komisionit të BE dhe të Këshillit të BE qëndruan neutralë, deputetët nuk donin të pushonin duke përmendur emrat e vendeve të treta.

Tomas Tobé nga Suedia shprehu pikëpamjen e EPP, grupit të qendrës së djathtë të parlamentit, sipas të cilit veçanërisht Rusia “është duke bërë luftë me intensitet të ulët informimi kundër Europës” nëpërmjet mediave dhe prokatorëve të sponsorizuar nga shteti. “Por, ne shohim shtete të tjera totalitare si Kina, Irani dhe Korea e Veriut, që përpiqen të dobësojnë marrjen e vendimeve në mënyrë demokratike tek ne”, shtoi ai.

Paratë që shpenzojnë vendet e BE për të përballuar dezinformimin e huaj nuk janë asgjë në krahasim me paratë, që përdorin vendet e tjera për të ushtruar ndikim në BE, mendon Pascal Durand nga grupi liberal Renew Europe.

Ai thotë se Rusia financon fushatat dhe i jep donacione partive politike të cilat “duan të shkatërrojnë BE”, për shembull në Francë dhe Itali, në nivelin e 1 miliardë eurove.

Në krahasim me 3 milionë euro që merr çdo vit StratCom, një grup i BE-së i krijuar për të shpërbërë dezinformimet e huaja, tha Durand.

Deputeti gjerman Reinhard Bütikofer, nga Të Gjelbërit i bëri thirrje kolegëve të tij të jenë vigjilentë jo vetëm ndaj ndërhyrjeve ruse, të cilat janë “dëshmuar”.

E njëjta gjë duhet bërë edhe ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, “udhëheqjes totalitare të Kinës” dhe “grupeve reaksionare nga SHBA”, shtoi Bütikofer.

Pikëpamje krejt të ndryshme kanë deputetët e grupit ekstremist të djathtë, Identity and Democracy.

Anëtarja e grupit, Christine Anderson nga Gjermania pyeti, nëse është shaka kjo që po thuhet se Komisioni i BE-së po përpiqet të luftojë dezinformimin.

“Komisioni i BE, e konsideron veten të jetë në gjendje të luftojë fake news, por është ai vetë selia kryesore që prodhon fake news!”, thotë Anderson.

Ajo tregon si shembull broshurën 60 arsye pse duhet të mbështesim BE-në, (60 reasons for the EU), publikuar nga Komisioni i BE. Sipas Anderson, është fake news që të thuash se falë politikave të Bankës Qendrore Europiane vendet e BE kanë kursyer 50 miliardë euro.

Sidoqoftë, jo të gjithë anëtarët e grupit të saj janë dakord me ato që thotë ajo. Laura Huhtasaari nga Finlanda, mendon se ekzistojnë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e BE nga Rusia, nga SHBA dhe nga Kina. /DW/